Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu, morën pjesë në ceremoninë “Marines Ball”, një ngjarje e dedikuar marinsave amerikanë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Osmani shprehu mirënjohjen e saj për përkushtimin dhe mbështetjen që Shtetet e Bashkuara kanë ofruar për Kosovën gjatë momenteve vendimtare të historisë së saj.
“Një mbrëmje e paharrueshme në ‘Marines Ball’, së bashku me aleatët tanë të përhershëm dhe në nderim të marinsave amerikanë që kanë qenë krah nesh në ditët më vendimtare të vendit tonë, dhe që vazhdojnë të kontribuojnë për paqe, në Kosovë dhe kudo në botë”, shkroi presidentja.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e partneritetit dhe sakrificës së tyre, duke e cilësuar lidhjen ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara si të pathyeshme. “Mirënjohëse për shërbimin, sakrificën dhe partneritetin e pathyeshëm që na ka bashkuar gjithmonë”, përfundoi Osmani. /Gjurmuesi/







