Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato në veri, eurodeputeti holandez Thijs Reuten ka theksuar se Bashkimi Evropian nuk ka më arsye të mbajë masa sanksionuese ndaj Kosovës. Ai ka shtuar se është koha që të nis shqyrtimi i aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në vitin 2022, pavarësisht pengesave nga disa shtete që nuk e njohin pavarësinë e vendit.
Reuten ka nënvizuar se procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtohet, duke vënë theksin te përfundimi i shqyrtimit të aplikacionit të Kosovës për statusin e vendit kandidat. Ai ka kritikuar vonesat brenda BE-së dhe ka kërkuar veprime konkrete nga të gjitha palët e përfshira.
Eurodeputeti ka thënë se arsyet për mosshqyrtimin e aplikacionit nuk duhet të lidhen me njohjen e pavarësisë nga shtetet anëtare. “Ne mund të vazhdojmë me procesin, pavarësisht faktit që disa shtete ende nuk e njohin Kosovën”, ka theksuar ai.
Sipas Reutenit, masat kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë, veçanërisht pas zgjedhjeve lokale dhe vendosjes së kryetarëve të rinj në komunat përkatëse. Ai ka shtuar se dialogu me Serbinë duhet të rifillojë me një moment të ri, duke shmangur bllokimin e procesit të integrimit për shkak të marrëveshjeve të pazgjidhura.
Reuten ka kërkuar gjithashtu që Bashkimi Evropian të ketë një qasje të drejtë dhe të balancuar ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke shmangur pabarazinë që ka shoqëruar procesin deri më tani. Ai ka theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave të komuniteteve etnike, duke përfshirë shqiptarët në Serbi dhe serbët në veri të Kosovës, duke përmendur edhe pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Eurodeputeti ka lidhur stabilitetin rajonal me avancimin e integrimit evropian dhe ka bërë thirrje që qytetarët dhe liderët e të dy vendeve të mos lejojnë faktorë të jashtëm të krijojnë ndarje dhe destabilitet, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë. /Gjurmuesi/







