Më 2 mars 1444, në Kishën katedrale të Shën Kollit në Lezhë, aty ku sot ndodhet memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt një nga ngjarjet më vendimtare të historisë sonë mesjetare: Besëlidhja e Lezhës. Ky moment shënoi bashkimin politik dhe ushtarak të fisnikëve shqiptarë përballë rrezikut osman, duke krijuar për herë të parë një front të përbashkët mbarëkombëtar.
Kuvendi i Lezhës lindi si një aleancë e mirëfilltë politike dhe ushtarake kundër pushtuesve osmanë. Para mbledhjes së tij, Gjergj Kastrioti zhvilloi takime të shumta me bujarët shqiptarë, duke i bindur se vetëm përmes unitetit mund t’i bënin ballë armikut të përbashkët. Në kuvend morën pjesë përfaqësues të principatave shqiptare nga veriu në jug, ndër më kryesoret Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiat, si dhe princi i Malit të Zi.
Thelbi i kësaj mbledhjeje ishte bashkimi i të gjitha forcave në luftën kundër osmanëve. Kuvendi vendosi që komandant i përgjithshëm i Lidhjes të ishte Gjergj Kastriot Skënderbeu, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak. Pas këtij bashkimi, ai forcoi rezistencën dhe për 25 vjet me radhë udhëhoqi luftën kundër pushtimit otoman. Besëlidhja i dha jetë shtetit më të fuqishëm mesjetar të Arbërit, ku u farkëtua shpirti i arbërve dhe identiteti kombëtar.
Menjëherë pas Kuvendit, Skënderbeu nisi organizimin e ushtrisë së Lidhjes, e përbërë nga forca të përhershme dhe nga trupa që mobilizoheshin në rast lufte. Forcat e përhershme u formuan nga repartet e sundimtarëve shqiptarë, sipas kuotave të përcaktuara nga Lidhja Shqiptare e Lezhës. Ai kishte gjithashtu një gardë personale të përbërë nga figura të shquara të kohës.
Gjendja e principatave shqiptare në vitet ’30 të shekullit XV dokumentohet edhe në Defterin e Sanxhakut Shqiptar të vitit 1482, ku regjistrohen hapësira të gjera të tokave shqiptare. Dalja e Skënderbeut në krye të elitës ushtarake të Lidhjes lidhej me disa faktorë: ai zotëronte aftësi të jashtëzakonshme në drejtimin e luftës dhe njihte mirë gjendjen ekonomike, financiare dhe ushtarake të vendit.
Zgjedhja e Lezhës si vend i mbajtjes së Kuvendit nuk ishte rastësore. Pozicioni i saj gjeografik ishte i favorshëm, në afërsi të zotërimeve të pjesëmarrësve kryesorë. Për më tepër, duke qenë nën zotërimin venedikas, shmangeshin mosmarrëveshjet mes sundimtarëve shqiptarë për vendin e mbajtjes së kuvendit. Njëkohësisht, kjo ishte edhe një thirrje miqësore për bashkëpunim në luftën kundër osmanëve, drejtuar Republikës së Shën Markut.
Në kuadër të kësaj aleance, fisnikët shqiptarë ruajtën të gjitha të drejtat mbi zotërimet e tyre. Çdo sundimtar mbante autonominë politike dhe kishte të drejtë të krijonte lidhje me vende jashtë Lidhjes. Skënderbeu ishte i pari ndërmjet të barabartëve dhe nuk ndërhynte në zotërimet e tyre.
Lidhja e Lezhës përfaqëson kështu bashkimin e parë politik në shkallë mbarë shqiptare në histori. Nën drejtimin e Skënderbeut, ushtria e organizuar prej tij u shndërrua në një forcë të fuqishme mbrojtëse të vendit.
2 Marsi mbetet një mesazh i fuqishëm bashkimi për Atdheun – një thirrje që të gjithë bijtë e tij të jenë të një mendjeje e të një zemre, duke jetuar e punuar për të mirën e përbashkët.









