Më 19 shkurt 1879, në Shkodër lindi Luigj Gurakuqi, një nga figurat më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare – firmëtar i Pavarësisë, intelektual, pedagog dhe burrë shteti që la gjurmë të thella në politikë, arsim dhe kulturë.
Studimet e larta i kreu në Universitetin e Napolit gjatë viteve 1901-1906, fillimisht për mjekësi e biologji, ndërsa më pas u përqendrua në historiografi dhe gjuhësi. Me botimin e veprave si “Vargënimi n’gjuhë shqype” dhe “Abetar i vogël shqyp” (1906), Gurakuqi kontribuoi në kodifikimin e metrikës, pra rregullave të ndërtimit të vargjeve dhe strofave, si dhe në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe.
Ai pati rol kyç si nënkryetar në Kongresin e Manastirit më 1908, ku u vendos njësimi i alfabetit shqip. Në vitet 1911-1912 u përfshi në kryengritjet për pavarësi, duke qenë ndër figurat aktive të lëvizjes kombëtare.
Në vitin 1909 drejtoi Shkollën Normale të Elbasanit, ndërsa si Ministër i Arsimit në qeverinë e Ismail Qemalit vendosi arsimin fillor të detyrueshëm për djem dhe vajza, duke hedhur themele të rëndësishme për sistemin arsimor.
Veprimtaria e tij politike vazhdoi edhe pas shpalljes së Pavarësisë, duke mbrojtur tërësinë territoriale të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Në periudhën 1921-1924 shërbeu si deputet i Shkodrës dhe Ministër i Financave në qeverinë e Fan Nolit, me angazhim të fortë për demokratizimin e vendit.
Pas rrëzimit të kësaj qeverie, u detyrua të emigrojë në Itali. Jeta e tij u ndërpre tragjikisht më 2 mars 1925, kur u vra në një atentat në Bari.









