Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike afatet kryesore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Në mbledhjen e mbajtur të premten, KQZ njoftoi se fushata zgjedhore për partitë politike do të zgjasë vetëm 12 ditë, duke filluar më 17 dhjetor dhe duke përfunduar me ditën e zgjedhjeve, më 28 dhjetor.
Po ashtu, procesi i certifikimit të subjekteve politike dhe i listave të kandidatëve do të zhvillohet nga 24 nëntori deri më 30 nëntor dhe do të ndahet në dy faza. Ky proces u përcaktua si i veçantë nga procedurat e tjera zgjedhore.
Sipas vendimit të KQZ-së, procesi zgjedhor do të zhvillohet sipas këtyre afateve kryesore:
Vendimi për kufizimin e shpenzimeve të fushatës: deri më 24 nëntor 2025.
Deklarimi i partive politike për mos-pjesëmarrje në zgjedhje: 24–30 nëntor 2025.
Deklarimi për pjesëmarrje përmes koalicioneve: 24–30 nëntor 2025.
Aplikimi për certifikim të subjekteve politike: 24–30 nëntor 2025.
Dorëzimi i listave të kandidatëve: 24 nëntor – 7 dhjetor 2025.
Tërheqja e shortit për renditjen në fletëvotim: 8 dhjetor 2025.
Emërimi i Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve: 26 nëntor 2025.
Publikimi i listës së Qendrave të Votimit: 25 nëntor 2025.
Miratimi dhe publikimi i Qendrave Komunale të Numërimit: 25 nëntor 2025.
Ndërrimi i Qendrës së Votimit: 26 nëntor – 6 dhjetor 2025.
Kundërshtimet dhe konfirmimet për listën votuese: 26 nëntor – 6 dhjetor 2025.
Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës: 26 nëntor – 6 dhjetor 2025.
Certifikimi i listës votuese brenda dhe jashtë vendit: 10 dhjetor 2025.
Votimi përmes postës: 12–27 dhjetor 2025.
Fushata zgjedhore për subjektet e certifikuara: 17 dhjetor – 28 dhjetor 2025, ora 06:59.
Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta: 11–21 dhjetor 2025.
Emërimi i Këshillave të Vendvotimeve në Kosovë dhe në përfaqësitë diplomatike: deri më 16 dhjetor 2025.
Aplikimi për akreditimin e vëzhguesve: 5–20 dhjetor 2025.
KQZ theksoi se të gjitha procedurat do të ndiqen sipas ligjit dhe se institucionet zgjedhore tashmë kanë filluar përgatitjet për organizimin e procesit të 28 dhjetorit. /Gjurmuesi/







