Ndërsa ka mbetur vetëm një muaj deri në përfundimin e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon rinumërimin e votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit për të hapur rrugë certifikimit të rezultateve.
Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve, ka theksuar se prioritet mbetet konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së re. Ndërkohë, partitë tjera parlamentare, PDK, LDK dhe AAK, presin që të arrihet një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit.
Ligjëruesi i shkencave politike, Basri Muja, tha se tejkalimi i sfidës është i mundur vetëm nëse ka vullnet politik:
“ Nëse partitë kanë vullnet politik, sado që afatet kushtetuese janë të ngushta, mund të arrihet zgjedhja e presidentit të ri. Ne ende jemi në fazën e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, e më pas do të vijë radha e bisedimeve për zgjedhjen e presidentit”, tha Muja.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, deri më tani është e vetmja që ka shfaqur gatishmëri për një mandat të dytë, megjithëse bisedimet me partitë politike për mbështetjen e tyre nuk kanë nisur ende zyrtarisht. Ajo ka deklaruar se synon një mandat tjetër për të përfunduar disa projekte të nisura, duke përfshirë edhe anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, iniciativë kjo e presidentit Trump, e cila nuk u përkrah publikisht nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Politologu Albinot Maloku vlerëson se LVV-ja nuk ka vullnet politik për ta propozuar Osmanin për një mandat të dytë:
“ Duket se LVV-ja nuk e ka me nxitim zgjedhjen e shefit të shtetit dhe nuk ka një vullnet të pastër për ta propozuar si kandidate të saj presidenten aktuale, Vjosa Osmanin. Kjo është gabim, sepse nga të gjitha subjektet politike është LVV-ja ajo që ka obligim dhe borxh moral e politik ta mbështesë zonjën Vjosa Osmani-Sadriu për presidente të vendit.”, tha Maloku për rtv21.
Juristët kanë ngritur dilema se vonesat në certifikimin e rezultateve dhe formimin e institucioneve të reja mund të shterojnë afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Sipas juristit Anton Nrecaj, ka një zgjidhje për të evituar zgjedhjet e reja:
“ Për t’i evituar zgjedhjet e reja, partitë duhet të gjejnë një kandidat konsensual për t’u zgjedhur president.”, u shpreh ai.
Presidentja Osmani ishte zgjedhur më 4 prill 2021 me propozim të LVV-së dhe votuar edhe nga disa deputetë të LDK-së. Megjithatë, aktualisht disa deputetë të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin për një mandat të dytë.







