Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënimin me nga 45 vjet të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ajo theksoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër, dhe çdo përpjekje për ta barazuar atë me krimet e Serbisë cenon besimin në drejtësi.
“Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë. Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, tha Osmani.
Në reagimin e saj të plotë, presidentja kujtoi se pavarësia e Kosovës u arrit falë sakrificës shekullore të popullit, ku mijëra dëshmorë dhe civilë të pafajshëm dhanë jetën, ndërsa UÇK-ja luftoi me heroizëm dhe drejtësi. Ajo rikujtoi gjithashtu gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe shfarosjen e popullsisë shqiptare nga Serbia, duke përmendur vrasjet, dhunimet, dëbimet dhe shkatërrimet masive gjatë luftës.
Presidentja Osmani përsëriti se çdo krahasim i luftës së UÇK-së me krimet serbe minon drejtësinë dhe dëmton paqen e qëndrueshme, duke theksuar se e vërteta e kësaj lufte nuk mund të ndryshohet me tentime për të rishkruar historinë.







