Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë parandaluar tre tentativa për hyrje të mallrave të padeklaruara në vend, gjatë kontrollimeve të kryera në pikën kufitare të Vërmicës. Rastet janë zbuluar gjatë inspektimeve rutinë të udhëtarëve që hynin në territorin e Kosovës.
Në rastin e parë, doganierët kanë gjetur 327 copë folje mbrojtëse për telefona, të cilat ishin fshehur në bagazh dhe në gomën rezervë të automjetit.
Në rastin e dytë, janë zbuluar produkte ushqimore dhe vitamina për kafshë që transportoheshin pa dokumentacionin përkatës dhe pa faturë ligjore.
Ndërsa në rastin e tretë, zyrtarët kanë zbuluar kamera dhe mbajtëse statike për to, të cilat po ashtu nuk ishin deklaruar në kufi.
Doganat kanë bërë të ditur se në të gjitha rastet mallrat janë ndaluar përkohësisht dhe ndaj personave të përfshirë janë iniciuar procedurat për kundërvajtje doganore, në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (KDAK). /Gjurmuesi/







