Qeveria e Kosovës ka vendosur të rrisë pagën minimale, duke miratuar një skemë të re rritjeje që do të zbatohet në dy etapa gjatë vitit 2026. Vendimi synon përmirësimin e kushteve ekonomike për punëtorët me orar të plotë në vend.
Sipas vendimit zyrtar nr. 10/273, të datës 31 tetor 2025 dhe të nënshkruar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, paga minimale do të arrijë në 425 euro bruto nga 1 janari 2026 për punë të rregullt me orar të plotë.
Rritja e dytë është paraparë të hyjë në fuqi më 1 korrik 2026, kur paga minimale do të jetë 500 euro bruto, po ashtu për punë të rregullt me orar të plotë.
Me këtë vendim, obligohen për zbatimin e tij Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Administrata Tatimore e Kosovës si dhe Inspektorati i Punës.
Vendimi do të hyjë në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.









