Siguria e ushqimeve që konsumohen çdo ditë në Kosovë po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje. Edhe pse në pamje të parë produktet në markete dhe tregje duken të rregullta dhe të sigurta, raste të shumta kanë dëshmuar se mallra me përmbajtje të rrezikshme për shëndetin kanë arritur të dalin në shitje.
Nga qumështi për fëmijë, produktet e mishit e deri te biskotat dhe artikuj të tjerë ushqimorë, disa prej tyre kanë rezultuar me substanca të dëmshme. Për këto raste kanë reaguar institucionet përgjegjëse.
“Kemi bërë asgjësim të mishrave të bagëtive, asgjësim të produkteve të tjera, biskotave. Kemi pasur edhe një sensibilizim nga kompania Nesslee, e cila e ka njoftuar opinionin dhe e ka tërhequr komplet mallin në Kosovë dhe shtetet e tjera”, tha Muharrem Shahini, zëdhënës në Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Sipas tij, janë ndaluar edhe produkte që kanë tentuar të futen nga jashtë vendit.
“Kemi ndaluar importin e 21,280 kg koncentrat për pije nga Holanda”, theksoi Shahini.
Një pjesë e qytetarëve shprehen skeptikë ndaj produkteve të importuara, duke thënë se po orientohen më shumë drejt atyre vendore.
“Të mira nuk janë hiq, por nuk po kemi tjera”, tha një qytetar i anketuar.
Ekspertët paralajmërojnë për pasojat që mund të shkaktojë konsumimi i ushqimeve të pasigurta.
“Konsumimi i produkteve të pasigurta mund të shkaktojë helmime ushqimore, të përcjella me diarre, të përziera, dobësim trupor. Pastaj mund të shkaktojë infeksione serioze, sidomos kur flasim për helmimet që vijnë nga një bakterie e rrezikshme…”, thekoi Dafina Llugaxhiu, teknike ushqimore.
Për shkak të mangësive në higjienën ushqimore dhe sanitare, çdo vit regjistrohen qindra raste helmimesh në vend. Të dhënat e Institutit të Shëndetësisë tregojnë se gjatë vitit të kaluar janë raportuar mbi 100 raste helmimesh ushqimore.
Rastet e regjistruara të helmimeve ushqimore 2025-2026 sipas grupmoshave janë:
10-19 vjeç – 38 raste
20-29 vjeç – 32 raste
30-39 vjeç – 34 raste
40-49 vjeç – 19 raste
50-59 vjeç – 4 raste
0-9 vjeç dhe 60-69 vjeç – 6 raste
70-79 vjeç – 2 raste (1.4%)
Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bëhet e ditur se në dispozicion janë gjithsej 79 inspektorë, një numër që konsiderohet i pamjaftueshëm për mbikëqyrjen efektive të tregut kosovar.









