“The New York Times” më 1934: Shqipëria e vogël në lojën e madhe diplomatike

Herman Bernstein (1876–1935) ishte ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, nga shkurti i vitit 1930 deri në shtator të vitit 1933 – një periudhë..

3 minutes

Read Time

Herman Bernstein (1876–1935) ishte ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, nga shkurti i vitit 1930 deri në shtator të vitit 1933 – një periudhë e shënuar nga përpjekjet e Shqipërisë nën mbretin Zog për të ruajtur pavarësinë mes Italisë dhe Jugosllavisë. Bernstein lindi në Nojshtat-Shirvint – sot Kudirkos Naumiestis, në Lituani – në një familje hebreje, dhe emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1893. Atje punoi si gazetar, shkrimtar dhe përkthyes (i letërsisë ruse), duke kontribuar në The New York Evening PostThe Nation dhe The Independent. Ishte redaktor i The Jewish Tribune dhe Jewish Daily Bulletin dhe udhëtoi në Evropë si korrespondent i The New York Times ku dokumentoi gjendjen e hebrenjve në Evropën Lindore dhe mbuloi Revolucionin Rus për New York Herald. Bernstein u takua me Herbert Hooverin në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 dhe e mbështeti atë në kandidaturën për president në vitin 1928. Në këmbim, Hooveri e emëroi ambasador në Shqipëri. Bernstein vdiq në Shefild të Masaçusetsit. Arkivat e tij, përfshirë disa shkrime mbi Shqipërinë, ruhen në Institutin YIVO për Kërkime Hebraike në Nju-Jork. Herman Bernstein kishte marrëdhënie të mira me mbretin Zog. Në artikullin e mëposhtëm, të botuar në New York Times, ai hodhi dritë mbi pozitën e vështirë të Shqipërisë në përpjekjet për të balancuar marrëdhëniet mes Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë.

Çështjet e saj në krizë, Shqipëria i ndjek me kujdes në lëvizjet e ndryshme të blloqeve që udhëhiqen nga Franca dhe Italia.

Shqipëria konsiderohet si një nga zonat më serioze të rrezikut në Evropë. Një luftë e re mund të fillojë atje nëse interesat politike dhe ushtarake të kombeve të tjera, për Shqipërinë, vazhdojnë të bien ndesh me njëri-tjetrin. Për shkak të pozitës së saj gjeografike, ky vend i vogël mban çelësin e Adriatikut dhe ka qenë mollë sherri mes kombeve të ndryshme për shekuj me radhë.

Nga pikëpamja strategjike, vija bregdetare e saj do të kishte vlerë të paçmuar për Italinë – në rast lufte. Italia prej disa vitesh ka hedhur shuma të mëdha në Shqipëri, për të ndihmuar në organizimin e ushtrisë, për të ndërtuar rrugë, ura dhe fortifikime. Në Ballkan besohet se përpjekja e Italisë për të militarizuar Shqipërinë është pjesë e programit të ambicies imperialiste – që i atribuohet Mussolinit – për të depërtuar në Ballkan, për të rimarrë rrugën e famshme romake Via Egnatia që kalon nëpër Shqipëri dhe Jugosllavi drejt Selanikut dhe Stambollit.

Çdo lëvizje e Italisë në Shqipëri vëzhgohet me dyshim dhe shqetësim nga Franca, nga Antanta e Vogël dhe veçanërisht nga Jugosllavia. Gjatë disa viteve të fundit, ndihma financiare dhe udhëzimi ushtarak i ofruar nga Italia ndaj Shqipërisë, kanë shërbyer për të shtuar ndjenjën e nervozizmit në Ballkan dhe kanë bërë që Jugosllavia të ndërmarrë përgatitje të ethshme ushtarake për të luftuar depërtimin e frikshëm italian në Ballkan.

Një ushtar i fuqive

Shqipëria e vogël është bërë kështu një ushtar [figurë shahu] në lojën e dy blloqeve në konflikt në diplomacinë evropiane – njëri i udhëhequr nga Italia dhe tjetri nga Franca. Ajo ka përfituar deri-diku nga ky konflikt interesash dhe ka arritur të forcojë unitetin kombëtar, fillimisht me ndihmën e Jugosllavisë dhe më pas me ndihmën e Italisë. Cilado qofshin motivet e fshehta të këtyre kombeve, Shqipëria ka ruajtur me zgjuarsi dhe guxim pavarësinë e saj – edhe pse është detyruar të bëjë shumë sakrifica, lëshime dhe kompromise në këmbim të ndihmës materiale që ka marrë që nga përfundimi i luftës [së Parë Botërore]. Nëse rrugët dhe urat e ndërtuara me ndihmën e parave italiane ishin apo jo të destinuara për planet ushtarake të Italisë, ato tashmë i shërbejnë qëllimeve të dobishme ekonomike të Shqipërisë, duke vendosur komunikime normale mes pjesëve të ndryshme të këtij vendi të vogël malor.

About the Author

About the Author

Easy WordPress Websites Builder: Versatile Demos for Blogs, News, eCommerce and More – One-Click Import, No Coding! 1000+ Ready-made Templates for Stunning Newspaper, Magazine, Blog, and Publishing Websites.

BlockSpare — News, Magazine and Blog Addons for (Gutenberg) Block Editor

Search the Archives

Access over the years of investigative journalism and breaking reports