Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka organizuar një aktivitet para Zyrës së Bashkimit Evropian për të shprehur qëndrimin e studentëve lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë. Reagimi vjen në kohën kur po zhvillohen fjalët përfundimtare në këtë proces.
Përfaqësuesi i Parlamentit Studentor, Donart Humolli, tha se studentët e UP-së, bashkë me organizatat e tjera studentore, e njohin rëndësinë e sundimit të ligjit dhe kompleksitetin e drejtësisë.
“Sot jemi këtu si studentë të Universitetit të Prishtinës, së bashku me Parlamentin Studentor dhe të gjitha organizatat studentore, në një ditë me domethënie për institucionin tonë, por edhe për shoqërinë tonë. Universiteti i Prishtinës ka qenë historikisht një hapësirë e dijes, e përgjegjësisë qytetare dhe e qëndrimit për vlera. Ne e kuptojmë se drejtësia është një proces kompleks, sidomos kur bëhet fjalë për plagë të mëdha historike. Ne po ashtu e kuptojmë se sundimi i ligjit është një prej themeleve të Bashkimit Evropian, dhe se besimi në drejtësi është kusht për paqe dhe stabilitet afatgjatë”, tha ai.
Ai theksoi se shqetësimi i studentëve lidhet me perceptimin për standarde të pabarabarta dhe zvarritje në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Megjithatë, sot duam ta shprehim qartë një shqetësim që është i pranishëm te shumë qytetarë të Kosovës: perceptimi se proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, po shoqërohen me standarde të pabarabarta, me zvarritje dhe me një mungesë të ndjeshmërisë ndaj kontekstit historik të luftës në Kosovë. UÇK-ja ishte përgjigje e një populli ndaj shtypjes dhe dhunës sistematike. Prandaj, çdo trajtim i kësaj historie kërkon përgjegjësi, kujdes dhe drejtësi që nuk lë vend për dyshim. Ne nuk kërkojmë asnjë trajtim të veçantë dhe asnjë anashkalim të drejtësisë. Kërkojmë vetëm një drejtësi që është e barabartë, transparente dhe e bazuar në prova! Kosova ka qenë dhe mbetet e përkushtuar ndaj orientimit euroatlantik. Por ky orientim nuk mund të ndërtohet vetëm mbi marrëveshje politike; ai duhet të ndërtohet mbi besim, mbi respekt dhe mbi vlera të njëjta për të gjithë”, deklaroi Humolli.
Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian për forcimin e besimit në drejtësi dhe shmangien e çdo perceptimi për selektivitet.
“Sot, nga ky vend, ne i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të kontribuojë në forcimin e besimit në drejtësi dhe në shmangien e çdo perceptimi që drejtësia mund të shihet si selektive”.
Në fund, studentët ftuan qytetarët të marrin pjesë në protestën e 17 Shkurtit, nga ora 14:00.
“Ne si studentë duam një të ardhme evropiane, por duam edhe një drejtësi që e forcon paqen dhe dinjitetin e një populli që ka kaluar nëpër sakrifica. Prandaj, nga këtu shfrytëzojmë rastin t’u bëjmë thirrje të gjithë studentëve, por jo vetëm, që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për protestën e datës 17 Shkurt, me fillim nga ora 14:00: DREJTËSI, JO POLITIKË! Sepse historia nuk rishkruhet. Sepse drejtësia është detyrim, jo zgjedhje. Dhe sepse durimi i qytetarëve të Kosovës nuk është i pafund”, tha ai.







