Industria botërore e filmit do të drejtojë sytë nga ceremonia e madhe e çmimeve Oscar, e cila këtë vit mbahet më 15 mars 2026. Edicioni i 98-të i këtij eventi pritet të nderojë filmat dhe artistët që kanë shënuar sukses gjatë vitit të fundit në kinematografi.
Ceremonia do të transmetohet në ABC dhe në platformën Hulu, duke nisur nga ora 19:00 sipas kohës lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Filmi Sinners kryeson listën e nominimeve për këtë vit me gjithsej 16 kandidime, duke vendosur një rekord të ri në historinë e çmimeve Oscar. Pas tij renditet One Battle After Another me 13 nominime, ndërsa në mesin e filmave me më shumë kandidime janë edhe Marty Supreme, Frankenstein, Sentimental Value dhe Hamnet.
Ceremonia e këtij viti do të drejtohet sërish nga komediani amerikan Conan O’Brien, i cili rikthehet për të dytin vit radhazi në rolin e prezantuesit.
Gjatë mbrëmjes do të ketë edhe performanca muzikore nga disa prej artistëve që interpretojnë këngët e nominuara. Ndër to janë kënga “Golden” nga filmi K-Pop Demon Hunters dhe “I Lied To You” nga filmi Sinners.
Në skenë për të ndarë çmimet pritet të ngjiten edhe disa nga emrat më të njohur të kinemasë botërore, përfshirë Adrien Brody, Javier Bardem, Chris Evans, Demi Moore, Robert Downey Jr., Anne Hathaway, Paul Mescal dhe Gwyneth Paltrow.
Në kategorinë kryesore për Filmin më të mirë këtë vit garojnë dhjetë prodhime: Bugonia, F1, Frankenstein, Hamnet, Marty Supreme, One Battle After Another, The Secret Agent, Sentimental Value, Sinners dhe Train Dreams.
Në kategorinë Aktori më i mirë janë nominuar Timothée Chalamet për “Marty Supreme”, Leonardo DiCaprio për “One Battle After Another”, Ethan Hawke për “Blue Moon”, Michael B. Jordan për “Sinners” dhe Wagner Moura për “The Secret Agent”.
Ndërsa për Aktroren më të mirë konkurrojnë Jessie Buckley, Rose Byrne, Kate Hudson, Renate Reinsve dhe Emma Stone.
Fituesit e çmimeve përzgjidhen nga anëtarët e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit, të cilët votojnë për kategoritë kryesore dhe për disiplinat përkatëse të industrisë së filmit.
Ceremonia e Oscarëve vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më prestigjioze të industrisë së filmit në botë, duke mbledhur çdo vit aktorë, regjisorë dhe producentë nga vende të ndryshme të globit.








