Dobësia e papritur dhe e përkohshme e zemrës mund të shkaktojë simptoma që ngjajnë shumë me ato të infarktit dhe nuk është aspak një gjendje e padëmshme, siç mendohej më parë. Në disa raste, zemra jo vetëm që “dhemb”, por mund të pësojë dëmtime reale. Ky fenomen njihet si sindroma e zemrës së thyer, ose Takotsubo syndrome, dhe nuk është një metaforë poetike, por një sëmundje akute e muskulit të zemrës. Ajo mund të shfaqet pas stresit të madh emocional, si trishtimi i thellë, humbja e një personi të dashur, frika ekstreme, por edhe gjatë emocioneve pozitive të forta, si gëzimi i tepërt.
Të dhënat e Cleveland Clinic dhe Harvard Medical School tregojnë se vdekshmëria nga kjo gjendje është e ngjashme me atë të infarktit akut të miokardit, me rreth 4–5% raste fatale dhe deri në 20% komplikime të rënda që kërkojnë kujdes intensiv.
Shprehja popullore “dikujt i është thyer zemra” shpesh lidhet me infarktin e zakonshëm, por në rastin e Takotsubo-s, trishtimi ose stresi ekstrem aktivizon mekanizma fiziologjikë të fuqishëm: rrit adrenalinën, ngushton enët e gjakut dhe ul funksionin e zemrës në mënyrë të menjëhershme.
Ky fenomen u përshkrua për herë të parë në Japoni në vitet ’90 nga kardiologu Hikaru Sato, pas një tërmeti të madh, kur shumë njerëz përjetuan ndryshime të pazakonta në zemër të ngjashme me infarktin, por pa bllokim të arterieve koronare. /Gjurmuesi/









