SHSKUK sqaron bashkëpagesën për personat shoqërues mbi 15 vjeç

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka bërë të qartë rregullat lidhur me tarifën prej 3 eurosh për çdo 24 orë qëndrim të..

1 minute

Read Time

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka bërë të qartë rregullat lidhur me tarifën prej 3 eurosh për çdo 24 orë qëndrim të personave shoqërues mbi moshën 15 vjeç.

Sipas QKUK-së, kjo masë buron nga Udhëzimi Administrativ për bashkëpagesat e shërbimeve shëndetësore dhe është pjesë e rishikimit të politikës së bashkëpagesave. Ndryshe nga udhëzimi i mëparshëm, ku tarifa ishte 5 euro për 24 orë, me udhëzimin e miratuar në vitin 2024 kjo shumë është ulur në 3 euro.

Institucioni thekson se bashkëpagesa nuk aplikohet për pacientët, por për përdorimin e hapësirave dhe resurseve spitalore nga personat jo-pacientë. Përjashtim bëjnë Klinika e Onkologjisë dhe klinikat ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht se pacientët ndodhen edhe në klinika të tjera brenda QKUK-së.

Menaxhmenti po diskuton aktualisht trajtimin e bashkëpagesave për pacientët me sëmundje kronike, duke synuar adresimin e nevojave specifike të tyre. QKUK gjithashtu thekson se roli i personit shoqërues është mbështetës dhe emocional, ndërsa kujdesi profesional shëndetësor mbetet përgjegjësi e stafit mjekësor. Çdo shqetësim mbi shërbimet duhet të adresohen përmes mekanizmave institucionalë dhe nuk duhet të përgjithësohet.

Në përfundim, QKUK nënvizon se shumica e shërbimeve shëndetësore mbeten pa pagesë, ndërsa shërbimet me bashkëpagesë ofrohen me kosto më të ulët se më parë.

About the Author