Shqipëria pritet të përballet me një javë të vështirë në aspektin meteorologjik, pasi parashikimet e fundit flasin për reshje të dendura shiu, dëbore dhe stuhi në disa zona të vendit. Autoritetet e mbrojtjes po ndjekin nga afër situatën dhe paralajmërojnë shtim të rreziqeve sidomos në rajonet veriore dhe jugore.
Sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti i keq do të nisë që nga e hëna, ku në Shkodër, Lezhë dhe Vlorë priten reshje mesatare deri në intensitet të lartë. Në qarqet Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë më të moderuara, por të shoqëruara me shtrëngata. Pjesa tjetër e vendit do të ketë reshje të lehta, ndërsa intensiteti i tyre pritet të shtohet gjatë pasdites.
Të martën, më 18 nëntor, situata përkeqësohet në të gjithë territorin. Shkodra, Kukësi, Vlora dhe Gjirokastra pritet të marrin sasi të konsiderueshme reshjesh, duke kaluar në nivel shumë intensiv në disa zona. Ndërkohë, Lezha, Dibra, Durrësi dhe Tirana do të kenë intensitet të mesëm deri në të lartë. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata pothuajse në mbarë vendin.
E mërkura, 19 nëntor, vlerësohet të jetë dita më kritike e javës. Sipas parashikimeve, reshjet intensive do të përfshijnë pjesën më të madhe të Shqipërisë, me stuhi dhe prurje të mëdha uji në disa lumenj. Qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër janë sërish më të rrezikuarat.
Të enjten, 20 nëntor, pritet një lehtësim i situatës, me reshje më të moderuara në disa zona dhe më të dobëta në të tjerat.
Në zonat malore mbi 400 metra në veri, lindje dhe juglindje, reshjet e shiut mund të kalojnë në dëborë, duke krijuar kushte për ngrica dhe vështirësi në qarkullim.
Parashikimet hidrometeorologjike tregojnë se në basenin e lumit Drin, sasia e reshjeve mund të arrijë deri në 150–200 mm në Fierzë dhe deri në 300 mm në zonën Koman–Vau i Dejës, duke ngritur shqetësime për menaxhimin e prurjeve dhe rreziqet e përmbytjeve.
Strukturat e emergjencave civile do të vijojnë të publikojnë informacione për çdo ndryshim të situatës dhe u kërkojnë qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve. /Gjurmuesi/







