Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm përpara në fushën e sigurisë kibernetike, duke u renditur ndër vendet më të avancuara në botë në këtë sektor. Sipas të dhënave më të fundit ndërkombëtare, vendi ka shënuar një përmirësim të dukshëm në kapacitetet për mbrojtjen dhe menaxhimin e kërcënimeve digjitale.
Në renditjen e publikuar nga “National Cyber Security Index” (NCSI), Shqipëria pozicionohet në vendin e 9-të në botë me 92.5 pikë. Ky rezultat përfaqëson një progres të madh krahasuar me vitet e kaluara, duke u ngjitur nga vendi i 54-t në vitin 2023 dhe nga vendi i 15-të në vitin 2025.
Kryeministri Edi Rama ndau raportin e NCSI-së, ku theksohet progresi në forcimin e strukturave përgjegjëse për sigurinë kibernetike, zhvillimin e politikave dhe strategjive kombëtare, si dhe përmirësimin e mekanizmave të koordinimit dhe reagimit ndaj kërcënimeve në hapësirën digjitale.
Vlerësimi i NCSI-së bazohet në analizën e kapaciteteve kombëtare për menaxhimin e rreziqeve kibernetike, duke përfshirë kuadrin ligjor dhe politik, mbrojtjen e shërbimeve thelbësore, menaxhimin e incidenteve kibernetike, si dhe zhvillimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Rezultati i Shqipërisë reflekton përmbushjen e një game të gjerë treguesish që lidhen me organizimin institucional, reagimin ndaj incidenteve dhe masat parandaluese në nivel kombëtar.
Gjatë kësaj periudhe, strukturat përgjegjëse kanë menaxhuar me sukses një sërë incidentesh dhe kërcënimesh kibernetike, duke forcuar kapacitetet për identifikimin, analizimin dhe reagimin në kohë reale. Përvoja e krijuar nga këto raste ka kontribuuar drejtpërdrejt në përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe në rritjen e qëndrueshmërisë së sistemeve të informacionit në nivel kombëtar.
Sipas raportit, Shqipëria vlerësohet për progresin në forcimin e strukturave përgjegjëse për sigurinë kibernetike, zhvillimin e politikave dhe strategjive kombëtare, si dhe për përmirësimin e mekanizmave të koordinimit dhe reagimit ndaj kërcënimeve në hapësirën digjitale.
Renditja në këtë nivel konfirmon avancimin e Shqipërisë në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm të sigurisë kibernetike dhe përputhjen me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.
Çfarë është NCSI?
“National Cyber Security Index” (NCSI) është një indeks ndërkombëtar që mat nivelin e përgatitjes së shteteve për të parandaluar kërcënimet dhe për të menaxhuar incidentet kibernetike. Ai zhvillohet nga E-Governance Academy (EGA), një organizatë e njohur globalisht për ekspertizën në qeverisjen digjitale dhe sigurinë kibernetike.
Indeksi përfshin 112 shtete dhe vlerëson mbi 40 indikatorë që mbulojnë: kuadrin ligjor dhe institucional, mbrojtjen e shërbimeve kritike dhe të dhënave personale, kapacitetet e reagimit dhe menaxhimit të krizave, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.













