Kosova ka përfituar një pajisje të avancuar për kontroll kufitar, si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara në fushën e sigurisë dhe doganave. Bëhet fjalë për një skaner mobil Rapiscan, prodhim amerikan, me vlerë rreth 3 milionë dollarë.
Ambasada Amerikane në Kosovë ka njoftuar se ky donacion synon të rrisë kapacitetet për luftimin e trafikimit të paligjshëm dhe parandalimin e qarkullimit të mallrave të falsifikuara, duke kontribuar në forcimin e bizneseve amerikane dhe kosovare.
“Kjo teknologji rrit kapacitetet e zbulimit, mbështet tregtinë e ligjshme dhe avancon interesat e përbashkëta të sigurisë dhe zhvillimit ekonomik”- njofton Ambasada amerikane më 22.01.2026.
Në fotografitë e publikuara nga ceremonia shihen e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së, Anu Prattipati, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, si dhe drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.
Ceremonia e inaugurimit të skanerit mobil, i cili përfaqëson një investim të rëndësishëm në forcimin e kontrolleve doganore dhe rritjen e sigurisë kufitare, është mbajtur në pikëkalimin kufitar në Merdarë.
Skanerët Rapiscan janë sisteme të avancuara të kontrollit të sigurisë, të prodhuara nga kompania amerikane Rapiscan Systems, e specializuar në teknologji të zbulimit.
Këto pajisje përdoren gjerësisht në pikat kufitare dhe doganat, portet dhe aeroportet, objektet qeveritare dhe ushtarake, si dhe në infrastrukturën kritike.
Në varësi të modelit, skanerët Rapiscan janë në gjendje të zbulojnë armë dhe mjete shpërthyese, drogë dhe kontrabandë, mallra të falsifikuara ose të padeklaruara, si dhe objekte të fshehura në automjete, kontejnerë apo bagazhe.
Shumica e tyre funksionojnë me teknologji të rrezeve X, përfshirë rreze X me energji të lartë për ngarkesa të mëdha, si dhe me softuer të avancuar analizues që identifikon forma, dendësi dhe materiale të ndryshme.







