Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se gjatë fushatës së vitit të kaluar ishte tentuar që me veturë të goditej eskorta e tij.
Përmes një postimi në Facebook, Lushtaku ka paralajmëruar padi ndaj kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar atë për, siç ka thënë, “gënjeshtra dhe shpifje publike” që po vazhdojnë ndaj tij.
“Për këtë rast ekziston raport zyrtar policor dhe pamje të kamerave të sigurisë, ku është konstatuar se nuk ka pasur asnjë lloj rreziku të sigurisë në komunikacion dhe rasti është mbyllur nga organet kompetente”, deklaroi kryetari i Skenderajt, transmeton Klankosova.tv.
“Albin, pas 6 vitesh në pushtet, Kosovës nuk i le asnjë projekt madhor, por vetëm propagandë, përçarje dhe viktimizim politik”, theksoi ai.














