Tensionet mes Iranit dhe Izraelit po vazhdojnë të përshkallëzohen, me shkëmbime të vazhdueshme sulmesh që po prekin disa zona kyçe në rajon.
Gjatë orëve të fundit është raportuar për një rritje të sulmeve me raketa nga Irani drejt Jerusalemit, ku vetëm mbrëmë janë regjistruar katër sulme brenda një ore e gjysmë, ndërsa dy të tjera ndodhën mëngjesin e sotëm, pa raportime për viktima.
Sulme të tjera iraniane janë drejtuar gjithashtu në veri dhe jug të Izraelit.
Nga ana tjetër, gjatë natës Izraeli ka ndërmarrë goditje ndaj Teheranit, duke synuar atë që e ka cilësuar si “infrastrukturë” të regjimit iranian.
Sipas ushtrisë izraelite, Irani vazhdon të ketë në dispozicion më shumë se 150 lëshues raketash funksionalë dhe disa qindra raketa balistike.
Raportohet se që nga fillimi i konfliktit, Irani ka lëshuar rreth 900 raketa balistike – 350 prej tyre drejt Izraelit, ndërsa pjesa tjetër kryesisht ndaj shteteve arabe të Gjirit.
Ndërkohë, një video e publikuar nga agjencia iraniane WANA pretendohet se tregon lëshimin e raketave gjatë natës nga një lokacion i pazbuluar.
Edhe pse Izraeli pretendon se ka kufizuar aftësinë e Iranit për të prodhuar raketa të reja, një zëdhënës i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike ka deklaruar se industria raketore e vendit vazhdon të funksionojë në nivel të lartë, pa probleme në prodhim apo rezerva.














