Sektori i ndërtimit në Kosovë ka përmbyllur vitin 2025 me rritje të kostove, si në krahasim me tremujorin paraprak, ashtu edhe në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat e fundit konfirmojnë vazhdimin e trendit rritës në këtë sektor.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e katërt të vitit 2025, i cili tregon rritje të përgjithshme të kostos së ndërtimit.
Sipas të dhënave zyrtare, indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në tremujorin e katërt të vitit 2025 ka shënuar rritje prej 0,5% krahasuar me tremujorin e tretë të po këtij viti. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (TM4 2024), rritja arrin në 3,5%.
Sa i përket rritjes tremujore prej 0,5%, ndikimin kryesor e kanë pasur transporti me +3,5%, pagat me +1,2%, kostot e tjera me +1,2%, materialet me +0,3% dhe energjia me +0,2%. Rënie është shënuar vetëm te makineritë, me -0,1%.
Në krahasim vjetor me TM4 2024, indeksi i përgjithshëm është rritur për 3,5% (3,6% sipas përllogaritjes së detajuar vjetore). Rritjen më të theksuar e ka shënuar energjia me +9,8%, pasuar nga pagat me +8,1%, kostot e tjera me +5,3%, transporti me +4,4% dhe materialet me +2,6%. Edhe në këtë krahasim, makineritë kanë pësuar rënie prej -0,4%.
Të dhënat, me bazë referimi vitin 2015 (2015=100), tregojnë se trendi i rritjes së kostove në sektorin e ndërtimit po vazhdon, i ndikuar kryesisht nga energjia dhe pagat.









