Investimet e qytetarëve dhe bizneseve nga Kosova jashtë kufijve kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025, duke reflektuar një orientim gjithnjë e më të madh drejt tregjeve të huaja.
Gjatë periudhës janar–nëntor 2025, kosovarët kanë investuar gjithsej 327.7 milionë euro jashtë vendit. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), këto investime direkte jashtë Kosovës janë rritur për 66.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Në këtë kontekst, bizneset kosovare janë renditur ndër investitorët kryesorë të huaj në Shqipëri gjatë vitit 2025, duke zënë vendin e parë në listë.
Ndërkohë, edhe pse investimet direkte jashtë Kosovës kanë shënuar rritje të lartë, investimet direkte brenda vendit kanë pasur një trend më të moderuar.
Sipas BQK-së, investimet direkte në Kosovë deri në fund të nëntorit 2025 kanë arritur vlerën prej 934.3 milionë euro, që përfaqëson një rritje prej 28.29% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.









