Në mbledhjen e mbajtur të enjten, Qeveria e Kosovës ka dhënë dritën jeshile për mbështetjen financiare të 37 specializantëve me vetëfinancim, të cilët vijnë nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe vende të tjera.
Kjo mbështetje do të realizohet përmes kategorisë ekonomike “Subvencione dhe transfere” të Ministrisë së Shëndetësisë, duke përfshirë pagesën për vitin 2026.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur se vlera totale e kësaj mbështetjeje kap shumën mbi 385 mijë euro dhe bazohet në udhëzimin administrativ për shkollim specialistik.
“Në vlerë prej 385 mijë e 654 euro e 50 centë, prej datës 1 janar 2026 deri 31 dhjetor 2026. Sipas udhëzimit administrativ për shkollim specialistik, është mundësuar që shkollimi specialistik për shtetasit e huaj, pjesëtarët e komunitetit shqiptar nga vendet fqinje dhe pjesëtarët e diasporës specializimi mund të lejohet me vendim të ministrit të shëndetësisë në bazë të rekomandimit dhe kuotës së përcaktuar nga bordi për shkollimin specialistik”, tha ministri.














