Në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë janë përmbyllur me sukses dy programe rehabilituese, “Menaxhimi i Zemërimit” dhe “Vendimmarrja Sociale”, të cilat u zhvilluan me udhëheqjen e zyrtarëve socialë të qendrës dhe me pjesëmarrjen aktive të të burgosurve.
“Qëllimi i këtyre programeve ka qenë zhvillimi i aftësive personale dhe sociale, me fokus kontrollin e emocioneve, përmirësimin e sjelljes dhe marrjen e vendimeve të përgjegjshme. Këto aftësi janë të rëndësishme si gjatë qëndrimit në institucion, ashtu edhe pas lirimit”, theksohet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Certifikatat për pjesëmarrësit u ndanë nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ridvan Hoti, drejtoresha për Trajtim, Trendelina Qorraj, si dhe i autorizuari i Drejtorit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, Salih Ademi.
Shërbimi Korrektues i Kosovës thekson se zbatimi i këtyre programeve reflekton përkushtimin e institucionit për rehabilitimin dhe riintegrimin social të të burgosurve, si dhe për ndërtimin e një sistemi korrektues më efikas dhe më human, duke ndihmuar në reduktimin e rrezikut të përsëritjes së veprave penale.







