Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës dolën të premten në një protestë paqësore përpara zyrave qendrore të kompanisë në Prishtinë, duke shprehur pakënaqësi mbi kushtet e punës dhe çështjet financiare që i preokupojnë.
Me pankarta në duar dhe thirrje të fuqishme, punëtorët kërkuan njohjen dhe kompensimin e rrezikshmërisë në vendin e punës. “Punëtorët e rrezikuar në punë, por rrezikshmëria nuk paguhet”, “Duam ngritjen e pagave, dhe ne duam jetën”, “Menaxhment, respekto ligjin e punës, paguaj vikendet për punëtorët me ndërrime” ishin disa nga mesazhet që u dëgjuan gjatë protestës.
Ata i bënë thirrje menaxhmentit të KEK-ut të ndërmarrë masa urgjente për përmirësimin e kushteve të punës dhe respektimin e plotë të kontratave kolektive dhe ligjeve të punës, duke kërkuar një trajtim më të drejtë dhe të sigurt në ambientin e tyre të punës. /Gjurmuesi/







