Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati. Takimi u fokusua në raportet ndërmjet dy vendeve dhe zhvillimet aktuale me interes për Kosovën.
Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë këtij takimi u diskutua për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe për angazhimin dhe rolin e vendit në përpjekjet ndërkombëtare për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë globale.
Në njoftim thuhet se Osmani theksoi se linjëzimi i Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë një vendim i drejtë dhe strategjik, duke nënvizuar se Kosova mbetet një partnere e besueshme e SHBA-ve në arenën ndërkombëtare.
Presidentja shprehu besimin e saj në lidershipin e Presidentit Donald Trump dhe ritheksoi gatishmërinë e Kosovës për të dhënë një kontribut konkret, të përgjegjshëm dhe aktiv në iniciativat globale që kanë për synim paqen dhe sigurinë.
Po ashtu, Osmani dhe Prattipati shkëmbyen pikëpamje lidhur me një sërë çështjesh të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit bilateral, si dhe për agjendën ndërkombëtare të Presidentes në muajt në vijim.







