Policia e Kosovës ka reaguar zyrtarisht pas raportimeve për qarkullimin e disa e-maileve të dyshimta, të cilat po shpërndahen tek qytetarë dhe institucione të ndryshme, duke u paraqitur rrejshëm si komunikime zyrtare të Policisë së Kosovës dhe organizatave të tjera vendore e ndërkombëtare.
Sipas njoftimit për media, bëhet e ditur se këto informacione janë jozyrtare dhe të pavërteta, ndonëse në përmbajtjen e tyre pretendohet se janë lëshuar nga Policia e Kosovës, përfshirë edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Në këto e-maile, të cilat mbajnë emërtimin “THIRRJE GJYQËSORE”, figurojnë numra referues dosjesh dhe përmenden kinse institucione si stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovë, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL).
“NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”, thuhet në njoftim.
Më tej, Policia e Kosovës bën të ditur se, si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informatave lidhur me përsëritjen e qarkullimit të këtyre e-maileve, ka nisur hetime intensive.
Sipas njoftimit, janë angazhuar njësitet kompetente policore me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të personave përgjegjës për këtë vepër penale.
“Policia e Kosovës njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave/mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Gjurmuesi/








