Një incident mes disa të miturave ka përfunduar me arrestime në Stacionin e Autobusëve në Drenas, të martën pasdite. Policia ka ndërhyrë pasi dyshohet se tri vajza janë përfshirë në një përleshje fizike.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, të miturat janë identifikuar dhe shoqëruar në stacion policor, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të gjitha janë dërguar në mbajtje.
“Më 25.11.2025 janë identifikuar dhe janë arrestuar tri femra të mitura, si të dyshuara, pasi me datën e lartcekur janë përfshirë në rrahje në mes veti. Me vendim të prokurorit, të dyshuarat pas intervistimit, janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së. /Gjurmuesi/







