Gjashtë persona janë arrestuar në veri të Kosovës nën dyshimin për kontrabandim me mallra dhe kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia njoftoi se të enjten në mbrëmje, në fshatin Rujishte, njësitë policore kanë ndalur katër automjete me targa të Serbisë në një rrugë malore. Automjetet dyshohet se transportonin mallra pa dokumente përkatëse mbi prejardhjen, duke përfshirë tekstil, gjësende ushqimore dhe produkte të mishit.
Të arrestuarit janë dërguar në Stacionin Policor Mitrovicë veri, ndërsa Dogana e Kosovës është njoftuar për të vazhduar procedurat doganore. Policia theksoi se prokurori kujdestar i shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për “Kontrabandim me mallra” dhe “Kalim ilegal të kufirit” dhe pas intervistimit, personat e dyshuar do të lirohen sipas procedurave të rregullta. /Gjurmuesi/







