Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur optimizëm për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor, duke theksuar se pret që ato të zhvillohen në mënyrë demokratike dhe të qeta. Ajo po ndodhet në vizitë në Shkodër, ku merr pjesë në festimet e nëntorit dhe zhvilloi një konferencë për media pas takimit me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.
Osmani ka theksuar se proceset zgjedhore të parakohshme janë normale për një demokraci dhe shpreh besimin se gjithçka do të shkojë sipas standardeve më të larta demokratike. “Jam e bindur se edhe ky proces zgjedhor do të shkojë mirë dhe do të zhvillohet në rregull, nuk shoh asnjë problem”, ka deklaruar ajo.
Presidentja ka shtuar se shpresa e saj është që menjëherë pas zgjedhjeve të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe të formohet Qeveria e re. “Qytetarët e Kosovës me padurim presin që të merren vendime të rëndësishme që janë në interes të shtetit. Kam besim se pas zgjedhjeve do të kemi konstituim të Kuvendit dhe qeverinë e re, sidomos pas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka theksuar Osmani.
Ajo ka përkujtuar gjithashtu se festimet e nëntorit nuk pengohen nga situatat politike dhe ka theksuar rëndësinë e nismave që forcojnë lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke përmendur veçanërisht bashkëpunimin mes Shkodrës dhe Gjakovës. Presidentja Osmani po merr pjesë në aktivitetet kulturore dhe festimet që po mbahen në Shkodër, duke e konsideruar këtë një mundësi për të forcuar marrëdhëniet ndërkufitare dhe kulturore. /Gjurmuesi/







