Shefi në largim i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka theksuar se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë një obligim i dialogut Kosovë-Serbi, edhe pse nuk është përmendur së fundmi në agjendën publike.
Në një intervistë për RTK, Orav tha se mbajtja e të njëjtit qëndrim për një periudhë të gjatë pa rezultate konkrete nuk është produktive dhe nuk i shërben procesit. “Në diplomaci duhet të gjejmë mënyra se si t’i trajtojmë këto çështje. Dialogu i Brukselit do të thotë dialog, që përfshin edhe Asociacionin. Edhe nëse vjen më herët apo më vonë, ai nuk është zhdukur, dhe qeveria, Beogradi dhe emisarit Sorensen e dinë këtë shumë mirë”, deklaroi Orav.
Ai rikujtoi se qëndrimi i BE-së mbetet i pandryshuar: “Asociacioni duhet të formohet në bashkëpunim me komunitetin serb dhe brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli”. Orav gjithashtu vlerësoi se fleksibiliteti dhe gjetja e mënyrave të reja janë kyçe për avancimin e çështjeve të hapura.
Ambasadori foli edhe për fillimin e zbatimit të Ligjit për të Huajt, duke e cilësuar atë si frymëzim për vendet e BE-së mbi mënyrën se si duhet trajtuar aplikacioni i Kosovës për anëtarësim. Ai theksoi se vendimi për lejet e përkohshme të qëndrimit për punonjësit e arsimit dhe shëndetësisë në veri ka mundësuar ofrimin e listave përkatëse dhe ka treguar se procesi mund të ecë përpara pa ndërprerje të shërbimeve.
Orav shtoi se integrimi i këtyre institucioneve do të ndodhë pas konsultimeve mes kryeministrit Albin Kurti, emisarit Sorensen dhe komunitetit serb, duke shmangur çrregullimet. Ai theksoi se Ligji për të Huajt mund të shërbejë si shembull sesi dialogu dhe normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi mund të vazhdojnë në mënyrë konstruktive.














