Një relike e rrallë nga tragjedia e Titanikut ka thyer rekorde në ankand: një orë xhepi prej ari, e cila i përkiste një çifti të moshuar që humbën jetën në mbytjen e anijes, është shitur për plot 1.78 milionë funte. Vlera e lartë tregon interesin e madh që vazhdon të ekzistojë për historitë personale të pasagjerëve të anijes legjendare.
Ora prej 18 karatësh ishte pronë e Isidor Straus, pasagjer i klasit të parë, i cili u mbyt në prill të vitit 1912. Ai dhe bashkëshortja e tij, Ida, u bënë të njohur botërisht edhe përmes filmit “Titanic”, ku paraqiten si çifti që përqafon njëri-tjetrin për herë të fundit teksa anija zhytet.
Straus kishte refuzuar të hipte në një varkë shpëtimi, pavarësisht moshës së tij, duke deklaruar se nuk do të largohej para burrave të tjerë. Ida vendosi të mos e linte vetëm dhe të dy humbën jetën së bashku.
Pas tragjedisë, ora u gjet në trupin e Isidor Straus, së bashku me sende të tjera personale, dhe më pas iu kthye familjes së tij. /Gjurmuesi/









