Në Gjykatën Supreme të Kosovës u zhvillua sot seanca gjyqësore lidhur me padinë që Oda Ekonomike e Kosovës ka ngritur ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Çështja lidhet me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike – një proces që, sipas OEK-ut, është zbatuar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat evropiane.
Avokati i OEK-ut, Ekrem Hoxha, theksoi se ky proces ka sjellë dëme financiare për shumë kompani dhe se vendimet e ZRRE-së kanë krijuar avantazhe të padrejta për disa operatorë privatë, duke cenuar konkurrencën dhe sigurinë e furnizimit me energji.
Pas përfundimit të seancës, kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, deklaroi se pret një vendim të drejtë nga Gjykata Supreme, i cili do të garantojë respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesave të bizneseve në Kosovë. Ai shtoi se OEK mbetet e përkushtuar për të siguruar që liberalizimi i tregut të energjisë të zhvillohet në mënyrë transparente dhe në përputhje me standardet evropiane. /Gjurmuesi/









