Konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës dhe votimi i qeverisë së re më 11 shkurt kanë sjellë reagime nga komuniteti i biznesit. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e ka vlerësuar pozitivisht krijimin e institucioneve të reja, duke e parë këtë si dëshmi të funksionimit demokratik të vendit.
Në reagimin e saj, Oda Amerikane thekson se tashmë prioritet duhet të jenë reformat ekonomike. Sipas saj, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet sektorit të energjisë si dhe krijimit të një ambienti më të favorshëm për investime.
Po ashtu, ajo konsideron të domosdoshëm zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe përshtatjen e sistemit arsimor me kërkesat reale të tregut të punës, me qëllim forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës.
“Duke pasur parasysh se një pjesë e konsiderueshme e reformave ekonomike kanë mbetur të vonuara për më shumë se një vit, Oda Amerikane mirëpret mundësinë që mandati i ri qeverisës të shfrytëzohet për t’i shtyrë përpara këto reforma në mënyrë të koordinuar dhe me vizion afatgjatë”, thuhet në njoftim.









