Njësia gjeneruese A5 e Termocentralit Kosova A është rikthyer sot në operim pas ndërhyrjeve për sanimin e rrjedhjeve që u identifikuan ditë më parë.
Sipas njoftimit zyrtar të Korporatës Energjetike të Kosovës, rikthimi është realizuar pas verifikimit të plotë të kushteve teknike dhe të sigurisë, duke mundësuar funksionimin normal të njësisë.
Aktualisht, Termocentrali Kosova A operon me tre njësi aktive, duke siguruar një kontribut të qëndrueshëm në prodhimin e energjisë elektrike për vendin.
“KEK Sh.A. shpreh falënderim të veçantë për stafin teknik dhe gjithë punonjësit e Termocentralit Kosova A, për angazhimin profesional, punën e palodhshme dhe reagimin e shpejtë në adresimin e situatës teknike. Korporata Energjetike e Kosovës – KEK Sh.A. mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt, stabil dhe të përgjegjshëm, në funksion të interesit publik dhe sigurisë energjetike të vendit”, thuhet në njoftim.







