Kreu i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka dhënë arsyet pse koalicioni parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk u realizua, duke përmendur dallimet në elektoratet e dy partive dhe afatin e shkurtër para zgjedhjeve si pengesa kryesore.
Gjatë një interviste në Debat Plus, Limaj tha se kishte diskutime të vazhdueshme me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, por dallimet mes elektorateve dhe barriera të së kaluarës bënë të pamundur bashkëpunimin në këtë fazë. Ai shtoi se synon të jetë i hapur për bashkëpunime paszgjedhore dhe vlerësoi angazhimet e Abdixhikut gjatë negociatave.
Limaj bëri të ditur se NISMA do të garojë e vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se partia është tashmë e regjistruar dhe se kjo është opsioni i fundit i tyre.
Ai ripërsëriti gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjitha subjektet politike kur bëhet fjalë për çështje që ndikojnë në interesin e përgjithshëm të Kosovës, duke përfshirë LVV, PDK, LDK dhe çdo subjekt tjetër që kërkon pjesëmarrjen e tij në çështje kombëtare. /Gjurmuesi/







