(Radio Evropa e Lirë) Ndërtesat e komunave, shkollat, qendrat mjekësore, palestrat, tokat, malet dhe prona të tjera, që aktualisht janë në pronësi të komunave të Kosovës, mund të kalojnë në pronësi të shtetit nëse miratohen ndryshimet e propozuara në Ligjin për Pronën Publike.
Sipas një drafti fillestar të projektligjit, të siguruar nga Radio Evropa e Lirë (REL), Republika e Kosovës do të ishte titullarja e vetme e së drejtës së pronësisë mbi pronën publike, ndërsa institucionet qendrore, komunat, kryeqyteti dhe ndërmarrjet publike do të ushtronin të drejta të shfrytëzimit, menaxhimit dhe administrimit të saj.
Asociacioni i Komunave të Kosovës e konsideron këtë ndryshim si tendencë për centralizimin e pronës publike, dhe thotë se ai mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si komunat ushtrojnë të drejtat e tyre mbi pronën.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, thotë se një ndryshim i tillë do t’i cenonte kompetencat dhe të drejtat e komunave mbi pronën publike.
“Kjo do t’i zhvishte komunat nga çdo kompetencë dhe e drejtë e tyre”, thotë Totaj për REL-in.
Ndryshimet në Ligjin për Pronën Publike, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2023, janë duke u trajtuar nga Ministria e Drejtësisë.
Ligji aktual parasheh se institucionet qendrore dhe komunat mund të jenë bartëse të së drejtës së pronësisë mbi pronën publike. Por, sipas ndryshimeve që janë duke u përgatitur, prona publike trajtohet si pronë e Republikës së Kosovës.
Ministria e Drejtësisë nuk iu përgjigj interesimit të REL-it për të shpjeguar arsyet e ndryshimit të ligjit, dhe nuk e bëri publik draftin e projektligjit.
Megjithatë, Ministria konfirmoi se ka themeluar një grup punues për hartimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Pronën Publike.
Në bazë të draftit fillestar, të cilin e ka siguruar REL-i, ndryshime janë propozuar në disa nene të ligjit.














