Deputetë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut kanë iniciuar një Propozim-Rezolutë që lidhet me respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor në gjykimin ndërkombëtar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nisma është dorëzuar sot në procedurë parlamentare.
Për këtë veprim ka njoftuar Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një postimi në Facebook, duke bërë të ditur përmbajtjen dhe qëllimin e rezolutës.
Sipas njoftimit, dokumenti mbështetet në parimet kushtetuese dhe në standardet ndërkombëtare të drejtësisë, duke riafirmuar përkushtimin ndaj shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimit të plotë të të drejtave themelore të njeriut, siç përcaktohen në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut.
Përmes kësaj nisme parlamentare kërkohet që proceset gjyqësore që zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës të respektojnë standardet më të larta ndërkombëtare, duke garantuar prezumimin e pafajësisë, mbrojtjen efektive dhe gjykimin brenda një afati të arsyeshëm për të gjithë të akuzuarit.
“Rezoluta, ndër të tjera, vlerëson kontributin e udhëheqësve institucionalë dhe të pjesëtarëve të luftës çlirimtare të Kosovës në proceset e paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të rajonit, duke theksuar se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, profesionale dhe e pavarur nga çdo ndikim politik”, thuhet në njoftim.
BDI ka bërë të ditur gjithashtu se deputetët nënshkrues u kanë bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit, pa dallim përkatësie politike, që ta mbështesin këtë rezolutë me votë, në funksion të forcimit të parimeve universale të drejtësisë dhe respektimit të standardeve ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të paanshëm.







