Eksperti i ndotjes së ajrit, Ilir Morina, ka paralajmëruar se cilësia e ajrit në Prishtinë është në një nivel jashtëzakonisht të keq, duke tejkaluar normat e lejuara nga 100 deri në 200 për qind. Ai theksoi se kombinimi i ndryshimeve atmosferike, mungesës së erës dhe mjegullës ka krijuar një “smog” të rrezikshëm për shëndetin publik.
“Situata është shumë e rënduar, pasi ndotja ka arritur dy-tri herë më shumë se normat e përcaktuara me ligjet e Kosovës dhe direktivat evropiane. Ndryshimet e motit, rritja e lagështisë, mjegulla dhe mungesa e lëvizjes së erës kanë kontribuar në këtë përzierje të rrezikshme. Ndikimi i termocentraleve, sidomos ‘Kosova B’, llogaritet të jetë rreth 30-40% e ndotjes, duke u rënduar edhe më shumë nga mosinstalimi i filtrave dhe mirëmbajtja e dobët e tyre”, tha Morina.
Ai përmendi gjithashtu rritjen e numrit të automjeteve, mungesën e kontrolleve teknike dhe djegien e lëndëve të ngrohjes si faktorë shtesë që përkeqësojnë situatën. Morina paralajmëroi se rreth 400 mijë automjete të regjistruara dhe djegia e peletit apo lëndëve të tjera të pa kontrolluara po shkaktojnë pasoja serioze shëndetësore, duke përfshirë një rritje të rasteve me sëmundje malinje. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 janë regjistruar mbi 1,010 raste të reja me kancer, ndërsa gjatë vitit 2024 numri ka kaluar 3,640 raste.
Eksperti kritikoi mosveprimin e institucioneve, duke theksuar se investimet për mbrojtjen e mjedisit janë lënë pas dore dhe ligjet ekzistuese nuk po implementohen. Ai përmendi projektin për filtrat e rinj të ‘Kosovës B’, i cili është vonuar pavarësisht fondit prej 95 milionë eurosh nga Banka Gjermane dhe Bashkimi Evropian.
Morina u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, të përdorin maska dhe të shmangin daljen në periudha me ndotje të lartë. Ai theksoi se përkeqësimi i cilësisë së ajrit ndikohet nga shumë faktorë, përfshirë rritjen e automjeteve, aktivitetet industriale dhe ndërtimet, dhe paralajmëroi se shëndeti i popullatës është në rrezik të vazhdueshëm, me një pjesë të konsiderueshme të rasteve të sëmundjeve malinje që mund të lidhen me ndotjen e ajrit. /Gjurmuesi/







