Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë së hënës në pikën kufitare në Bërnjak ka parandaluar një aktivitet të kundërligjshëm të kontrabanës.
Sipas njoftimit, në këtë pikë kufitare, zyrtarët policorë dhe ata doganorë kanë identifikuar një person i cili kishte nën posedim mjete të padeklaruara monetare.
Në njoftim thuhet se nga njësia policore kompetente është ndaluar për kontroll në vijën e dytë një veturë e dyshuar me targa serbe, të cilën po e drejtonte i dyshuari mashkull serb.
“Gjatë kontrollit të automjetit dhe personave (drejtuesit të mjetit dhe pasagjerit), në çantën e pasagjerit janë hasur mjete monetare euro në shumë të përgjithshme prej 25.515€, dhe dinarë shuma e të cilave arrin vlerën 4813€ (në total 30.328€).”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet procedurale për trajtim të mëtejmë sipas legjislacionit në fuqi.














