Një sasi e madhe mishi pule nuk është lejuar të hyjë në territorin e Shqipërisë, pas kontrolleve të kryera në një nga pikat kufitare. Autoritetet kompetente kanë ndërhyrë menjëherë, duke ndaluar dërgesën për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore për import.
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka bërë të ditur se në vendkalimin kufitar Qafë-Thanë, inspektorët e saj kanë ndaluar importin e mbi 26 tonëve mish pule të ngrirë, me origjinë nga Brazili. Pas vendimit zyrtar, ngarkesa është kthyer mbrapsht në vendin eksportues.
Sipas njoftimit të AUV-it, dërgesa përbëhej nga mijëra paketime dhe nuk ishte në përputhje me vendimin në fuqi për ndalimin e importit të produkteve shtazore nga Brazili, masë kjo e marrë për të parandaluar përhapjen e gripit të shpendëve.
“Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari në vendkalimin kufitar Qafë-Thanë kanë ndalur importin e mbi 26 tonë mish pule i ngrirë pa kockë, për shkak të mosplotësimit të kushteve për import. Dërgesa me 2167 paketime me nga 12 kilogram mish i ngrirë pule, nga 12 kilogramë mish pule të ngrirë, pas nxjerrjes së Vendimit për ndalim importi nga veterinerët zyrtarë të AUV-it, është kthyer në vendin eksportues – Brazil. Ndalimi i importit është vendosur pasi dërgesa ishte në kundërshtim me vendimin për ndalim të importit të kafshëve të gjalla, produkteve dhe nënprodukteve me origjinë shtazore nga Brazili, me qëllim mbrojtjen nga futja e virusit të gripit aviaron me patogjenitet të lartë (gripi i shpendëve). Sipas këtij vendimi, ndalohet importi i dërgesave që rrjedhin nga kafshë të therura, të ngarkuara dhe të certifikuara para datës 1 gusht 2025”, thuhet në komunikatën e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari. /Gjurmuesi/







