Bizneset prodhuese dhe përpunuese në Kosovë kanë edhe pak orë kohë për të përfituar nga Skema e Granteve për Energji të Pastër, një program mbështetës që synon investimet në energji të qëndrueshme dhe uljen e kostove energjetike për ndërmarrjet.
Afati për aplikim përfundon sonte, më 31 janar 2026, në ora 24:00. Thirrja publike ishte e hapur që nga 10 tetori 2025 dhe u mundëson ndërmarrjeve të përfitojnë mbështetje financiare deri në 20 mijë euro për një masë të vetme, ose deri në 25 mijë euro për masa të kombinuara.
Skema financohet nga Dukati i Madh i Luksemburgut, me një fond total prej 1 milion euro, dhe zbatohet nga KIESA/MINT në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev – Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.
Thirrja është e dedikuar për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe për ndërmarrjet e mëdha që nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara të energjisë elektrike, dhe që kanë si aktivitet primar apo sekondar prodhimin ose përpunimin.
Gjatë periudhës së aplikimit janë mbajtur disa sesione informuese me biznese dhe palë të interesit, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se një numër i konsiderueshëm i ndërmarrjeve kanë aplikuar tashmë për përfitim nga kjo skemë.
Bizneset që ende nuk e kanë përmbyllur aplikimin ftohen ta finalizojnë atë brenda afatit të sotëm, në mënyrë që kërkesa e tyre të konsiderohet e vlefshme.
Skema mbështet tri masa kryesore: instalimin e sistemeve solare dhe baterive për ruajtjen e energjisë, zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në objektet e bizneseve, si dhe investimet në pajisje që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit.
Përveç grantit financiar, përfituesit do të kenë qasje edhe në ngritje kapacitetesh dhe asistencë teknike, me synim sigurimin e investimeve të qëndrueshme dhe afatgjata në sektorin e energjisë së pastër.









