Reshjet e dendura të fillimvitit kanë lënë pasoja të konsiderueshme në disa komuna të Kosovës, duke shkaktuar përmbytje dhe dëme të mëdha materiale.
Sipas vlerësimeve të deritanishme, dëmet nga vërshimet e muajit janar kanë kaluar shifrën prej 7 milionë euro, ndërsa autoritetet lokale paralajmërojnë se kjo shumë mund të rritet pasi ende nuk janë përfshirë të gjitha komunat në përllogaritje.
Nga Asociacioni i Komunave të Kosovës bëhet e ditur se viti 2026 nisi me vështirësi për disa zona të vendit, për shkak të të reshurave të mëdha që shkaktuan përmbytje në shumë rajone.
Ndër komunat më të prekura është ajo e Gjakovës, ku dëmet e deritanishme arrijnë në rreth 2.7 milionë euro.
“Kemi dëme në ekonomitë familjare, ku janë 236 raste në vlerë afërsisht 2.3 milionë euro. Janë dëme në biznese, ku kanë pësuar 17 ekonomi biznesore, diku në shifër 300 mijë euro. Dhe dëme në kultura bujqësore e blegtari, ku janë 16 raste, ku vlera totale është afërisht 230 mijë euro”, thotë Devoll Kërleshi, Kryetar i Komisionit Vlerësues në Komunën e Gjakovës.
Përveç Gjakovës, dëme të mëdha janë regjistruar edhe në komunën e Drenasit, ku vlera e tyre arrin në rreth 1.5 milionë euro.
Ndërkohë, në Pejë, Rahovec dhe Mitrovicë e Jugut dëmet e përllogaritura kapin shifrën rreth 800 mijë euro.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka bërë thirrje ndaj Qeverisë që të ndërmarrë hapa për kompensimin e këtyre dëmeve në kohë sa më të shpejtë.
Në lidhje me këtë çështje, nuk ka pasur reagim nga Qeveria e Kosovës.
Po ashtu, nga AKK është kërkuar edhe ndërmarrja e masave parandaluese, me qëllim që të shmangen situata të ngjashme në të ardhmen.














