Gjatë qëndrimit në Mynih të Gjermanisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me ish-kryeministrin e Belgjikës, Alexander De Croo, i cili aktualisht mban detyrën e Administratorit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Në këtë takim, Kurti theksoi arritjet e Kosovës në pesë vitet e fundit, duke veçuar progresin demokratik dhe zhvillimin ekonomik, të reflektuar edhe në renditjet pozitive në indekse ndërkombëtare.
“Shprehu mirënjohjen ndaj UNDP për përkrahjen përmes projekteve të ndryshme, mbështetjen për zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunimin e frytshëm. Përgjatë bisedës u diskutuan edhe mundësitë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit”.
Po ashtu, në fokus të diskutimit ishte edhe çështja e qasjes së Kosovës në fondet ndërkombëtare për klimën dhe mjedisin.
“Kryeministri ngriti po ashtu rëndësinë në qasjen e Kosovës në Fondet Vertikale të Klimës dhe Mjedisit, sikurse në Fondin Global të Mjedisit (GEF) dhe Fondin e Klimës së Gjelbër (GCF), qasje që mundëson avancimin e agjendës së tranzicionit të gjelbër”, thuhet në një njoftim të zyrës për media të tij.







