Në kuadër të qëndrimit të tij në Davos, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një drekë pune me përfaqësues të rëndësishëm të botës ekonomike dhe biznesit ndërkombëtar. Takimi u mbajt në Shtëpinë e Kosovës dhe u fokusua në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe promovimin e Kosovës si destinacion për investime të huaja.
Sipas njoftimit zyrtar, në këtë drekë pune morën pjesë Alexander Kunitz dhe Maximilian Hoffmann nga Këshilli i Jashtëm për Marrëdhënie Ekonomike, Max Gulde, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Constellr”, Carl Holshouser nga “CoreWeave”, Dr. Tanja Ëielgoß nga “SPD Economic Council”, si dhe Matthias Ibrahim Krug nga “Velmora Capital”.
Gjatë diskutimeve, u theksua rëndësia e integritetit konkurrues si një element kyç për ndërtimin e besimit, rritjen e qëndrueshmërisë institucionale dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investime të huaja direkte.
Kurti vuri në pah përparimin e Kosovës në fushën e sigurisë, sundimit të ligjit dhe stabilitetit makro-fiskal, duke theksuar se këto zhvillime kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Në takim u diskutua edhe roli i Kosovës si një pikë strategjike për kompanitë që kërkojnë kapacitete të sigurta dhe afërsi me tregjet e rajonit EMENA. Kryeministri në detyrë prezantoi gjithashtu prioritetet e investimeve publike, me mbi 7 miliardë euro të planifikuara në sektorët e transportit, mjedisit dhe energjisë, me synimin për të përmirësuar logjistikën dhe për të rritur parashikueshmërinë ekonomike të vendit.







