Të shtunën, kryeministri Albin Kurti thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për të diskutuar situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme, pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Gjatë mbledhjes, Kurti riafirmoi orientimin euroatlantik të Kosovës dhe mbështetjen e veprimeve amerikane ndaj objektivave të regjimit të Ajatollahëve, duke i vlerësuar si masa për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të kufizuar kapacitetet destabilizuese në rajon.
Po ashtu, u bë e ditur se institucionet e vendit kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, duke monitoruar vazhdimisht zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Kryeministri bëri thirrje për qetësi te qytetarët dhe i inkurajoi ata që të informohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe burimeve të besueshme, duke shmangur dezinformatat dhe propagandën që synojnë destabilizimin dhe tensionimin e vendit.







