Kultura shqiptare kryefjalë e eventeve në Shambari të Francës, mbi 45 vepra arti nga Muzeu i Korçës

Qyteti francez i Shamberisë (Chambéry) do t’i kushtojë vitin 2026 kulturës shqiptare, duke e vendosur Shqipërinë dhe trashëgiminë e saj artistike në qendër të jetës..

2 minutes

Read Time

Qyteti francez i Shamberisë (Chambéry) do t’i kushtojë vitin 2026 kulturës shqiptare, duke e vendosur Shqipërinë dhe trashëgiminë e saj artistike në qendër të jetës kulturore lokale. Kjo nismë vjen si rezultat i bashkëpunimit dhe marrëdhënieve miqësore të ndërtuara ndër vite mes Shamberisë dhe Korçës.

Partneriteti mes dy qyteteve, i nisur në vitin 2022, ka hapur rrugën për organizimin e një programi të posaçëm që do të përfshijë artin, muzikën, letërsinë dhe kulturën shqiptare përgjatë gjithë vitit 2026.

Njoftimi është bërë publik në faqen zyrtare të Bashkisë së Shamberisë, ku theksohet se një nga ngjarjet kryesore të kësaj stine kulturore do të jetë ekspozita “Ikona të Shqipërisë”. Kjo ekspozitë do të mbahet nga muaji maj deri në nëntor në Muzeun e Arteve të Bukura të Shamberisë.

Në kuadër të saj do të prezantohen 45 vepra arti me vlerë të lartë historike, që datojnë nga shekulli XIV deri në shekullin XX. Veprat janë pjesë e fondit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë dhe përfaqësojnë trashëgiminë kombëtare shqiptare.

Përveç ekspozitës, programi përfshin edhe një sërë aktivitetesh të tjera kulturore, si konferenca në kuadër të Muajit të Evropës, pjesëmarrja e partnerëve shqiptarë në Tregun e Kontinenteve, si dhe prezantimi i artistëve dhe grupeve folklorike nga Korça në Festivalin e Kulturave Botërore. Gjithashtu, janë paraparë projekte të përbashkëta krijuese dhe teatrore që bashkojnë të rinj dhe profesionistë nga të dy vendet.

Marrëdhënia mes Korçës dhe Francës ka rrënjë të thella historike. E njohur si “Parisi i Vogël” për trashëgiminë e saj frankofone, Korça shquhet për traditën kulturore, arkitekturën karakteristike dhe rolin e rëndësishëm në zgjimin kombëtar shqiptar.

Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, Liceu Francez në Korçë ishte një qendër formimi për elitën intelektuale dhe kulturore të vendit. Kjo trashëgimi pritet të ringjallet me hapjen e afërt të liceut të ri franko-shqiptar në Korçë, një projekt i përbashkët i Shqipërisë dhe Francës, i orientuar drejt shkencës dhe së ardhmes.

About the Author

About the Author

Easy WordPress Websites Builder: Versatile Demos for Blogs, News, eCommerce and More – One-Click Import, No Coding! 1000+ Ready-made Templates for Stunning Newspaper, Magazine, Blog, and Publishing Websites.

BlockSpare — News, Magazine and Blog Addons for (Gutenberg) Block Editor

Search the Archives

Access over the years of investigative journalism and breaking reports