Kompania Rajonale e Ujësjellësit në Mitrovicë ka nisur punime të planifikuara në qytet dhe rrethinat e tij, me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë dhe funksionalizimin e rrjetit të kanalizimit.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit po zhvillohen në rrugët “Kadri Bistrica”, “Mbretëresha Teuta”, “Obiliqeva”, si dhe në Zveçan dhe fshatin Suhodoll.
Paralelisht, ekipet teknike janë duke punuar në rrjetin e kanalizimit në rrugën “Shaban Polluzha”, “11 Martirët”, në Kampin e Policisë “Enver Zymberi” dhe në hapësirat e SHFMU “Eqrem Çabej”.
KRU “Mitrovica” ka paralajmëruar se gjatë punimeve mund të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona. Kompania ka bërë thirrje për mirëkuptim nga qytetarët, duke theksuar se këto ndërhyrje janë pjesë e punëve të rregullta për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve. /Gjurmuesi/







