Një zbulim i rrallë mineralogjik është bërë së fundmi në minierën e Trepçës, ku nga thellësia e nëntokës është nxjerrë një kristal me përmasa të jashtëzakonshme. Formacioni arrin 1.40 metra në lartësi dhe 1.20 metra në gjerësi, duke u cilësuar si një ndër gjetjet më të veçanta të kohëve të fundit në këtë minierë.
Kristali u sigurua nga minatorët e Horizontit XI – Ndërrimi C, të cilët, sipas njoftimit, realizuan nxjerrjen e tij me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë, në kushte pune në thellësi të konsiderueshme.
Përfaqësues të ndërmarrjes theksojnë se ky zbulim përfaqëson jo vetëm një vlerë të rrallë natyrore, por edhe simbolikë të traditës shumëvjeçare të minierës dhe punës së palodhur të minatorëve.
Trepça mbetet një nga asetet më të rëndësishme minerare të vendit, ndërsa zbulime të tilla konsiderohen dëshmi e potencialit të pasur nëntokësor dhe e përkushtimit të punëtorëve që çdo ditë operojnë në thellësi për nxjerrjen e resurseve minerale.







