Në Kosovë, periudha e festave të fundvitit po bëhet gjithnjë e më sfiduese për shumë familje, pasi rritja e çmimeve ka ngushtuar ndjeshëm buxhetet familjare. Produktet bazë, ushqimet dhe energjia kanë pësuar shtrenjtim të vazhdueshëm, duke e bërë të vështirë përballimin e shpenzimeve edhe për familjet me të ardhura mesatare.
Në këtë situatë gjendet edhe Besim Krasniqi, i punësuar në sektorin privat dhe me pagë mujore 550 euro. Ai thotë se i duhet të kursejë gati gjysmën e të ardhurave mujore vetëm për t’i përballuar shpenzimet e natës së ndërrimit të moteve.
“Çdo ditë dal në dyqane dhe i hulumtoj çmimet. Një kilogram mish i terur është 26 euro, ndërsa mishi i kuq i viçit ka arritur në 16 euro. Kjo është jashtë normales”, shprehet ai.
Familja e tij 6-anëtarëshe varet vetëm nga paga e tij. Vjet, për festat shpenzoi rreth 200 euro, ndërsa këtë vit pret të shpenzojë të paktën 270 euro për shkak të rritjes së çmimeve. Sipas Krasniqit, kërkesat e fëmijëve për dekorime, ëmbëlsira dhe produkte të tjera festive e rrisin edhe më shumë faturën familjare.
Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se ngritja e çmimeve gjatë fundvitit është një dukuri e përsëritur. Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, thotë se tregtarët shpesh e shfrytëzojnë këtë periudhë për të rritur çmimet, çka ushtron presion të madh mbi familjet me të ardhura të kufizuara.
Statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se çmimet e konsumit në tetor u rritën me 5.1% krahasuar me vitin e kaluar. Rritja më e madhe është te energjia elektrike (+20%), pemët (+15.3%), kafeja dhe çaji (+13%), mishi (+12.3%) dhe qumështi, djathi e vezët (+7.5%).
Paga mesatare bruto në vend është 639 euro, ndërsa mbi 55% e saj shkon vetëm për konsum. Mulaj thekson se disa nga produktet bazë, si mielli, kushtojnë më shumë në Kosovë sesa në tregun e Bashkimit Evropian, gjë që është edhe më problematike duke marrë parasysh nivelin më të ulët të pagave.
Sipas tij, tregu kosovar vuan nga mungesa e kontrollit institucional. “Tregtarët janë bërë aq të fuqishëm, saqë edhe institucionet e kanë të vështirë të hyjnë në një ballafaqim profesional me ta”, thotë Mulaj.
Edhe Krasniqi ndan të njëjtën bindje, duke thënë se blen vetëm atë që është në zbritje, pasi sipas tij “nuk ka kontroll të çmimeve, as inspektime”.
Çmimet vendosen nga tregtarët sipas konkurrencës dhe raportit ofertë-kërkesë, ndërsa institucionet përkatëse si Autoriteti i Konkurrencës dhe Inspektorati i Tregut nuk kanë dhënë përgjigje nëse qytetarët kanë paraqitur ankesa për ngritjen e çmimeve apo nëse priten kontrolle shtesë në prag të festave.
Në këtë realitet, remitencat nga diaspora mbeten shpëtim i shumë familjeve. “Pa diasporën, Kosova do të kishte probleme të mëdha ekonomike”, thekson Mulaj, duke shtuar se dërgesat dhe vizitat e mërgimtarëve ndihmojnë në mbajtjen gjallë të konsumit. Këtë vit, remitencat kanë kaluar shifrën 1 miliard euro.
Mulaj thekson gjithashtu se çmimet varen edhe nga tregu i jashtëm, pasi vendi importon shumicën e produkteve, dhe se mungon një politikë që i mbështet prodhuesit vendorë për të ulur varësinë nga importi.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte deklaruar muajin e kaluar se në Kosovë nuk ka krizë ekonomike. Por realiteti i familjeve si ai i Krasniqit flet ndryshe: festa, por me shpenzime të rënda.
“Asnjëherë nuk shkoj të furnizohem për një ose dy javë. I përcjell vetëm zbritjet javore ose ditore”, përfundon ai. /Gjurmuesi/









